Greqi - Shqipëri: Drejt rinovimit të paktit të miqësisë edhe për 5 vite të tjera

Sipas burimeve diplomatike, qeveria shqiptare është pro rinovimit të marrëveshjes pesëvjeçare për miqësinë, bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe sigurinë mes Greqisë dhe Shqipërisë, pas një propozimi grek, bëjnë me dije mediet greke.

Ky pakt u nënshkrua mes dy vendeve në vitin 1996 dhe kishte një kohëzgjatje fillestare, nga dita e zbatimit, 20 vjet, e cila përfundoi në vitin 2018.

Më pas u rinovua për një periudhë pesëvjeçare, deri në vitin 2023.

Në funksion të skadimit të këtij rinovimi, të dyja palët ranë dakord për rinovimin e tij edhe për pesë vite të tjera.

Ky zhvillim është pjesë e përmirësimit të vazhdueshëm të klimës në marrëdhëniet mes dy vendeve, gjë që u la të kuptohet gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Nikos Dendias në Tiranë në tetor 2020, si dhe takimit të tij të fundit me kryeministrin shqiptar Edi Rama.