Gjirokastër/ Banorët e Dropullit të Sipërm në protestë, asnjë linjë transporti nuk funksionon

Banorët e Dropullit të Sipërm kanë protestuar mëngjesin e së premtes për mungesën e transportit publik nga fshatrat e thella të kësaj njësie vendore në drejtim të destinacioneve të tjera.

Në këtë zonë nuk funksionon asnjë linjë publike, ndaj taksitë janë e vetmja alternativë.

Një të moshuari për të shkuar për vizitë mjekësore në Gjirokastër me qëllim egzaminime në spitalin rajonal, i duhet të paguajë koston e transportit me një vlerë 20 fish më shumë nga tarifa standarte e shërbimit urban.

"Mua më shqetëson jashtë mase sepse në familjen time veç gruas kam edhe vjehrrën 87 vjeç, në momente të caktuara ka nevojë për shërbim mjekësor. Ne nuk mundemi dot ta zgjidhim shërmbimin mjekësor. Derisa të vijë shërbimi mjeksor nga Gjirokastra njerëzit kanë vdekur."

Të mbledhur në fshatin Vrisera për të protestuar banorët akuzuan Bashkinë e Dropullit për këtë anomali dhe vuajtje që u shkakton mungesa e transportit urban.

"Dikush duhet të japë përgjigje, pse pas 30 viteve nuk kemi makinë?"

Kreu  i Bashkise Dropull, Dhimiter Toli pranon problemin por thotë se nuk ka asnjë zgjidhje.

"Ka një problem me të gjithë Dropullin me linjat e autobëzëve, por problemi nuk lind nga kryetari, por lind nga dy firma që kanë hedhur në gjygj njëra-tjetrën."

Njesia Administrative Dropulli i Siperm ka 7 mije banorë ndërsa shumica e tyre janë te moshuar.