"Jo më pandëshkueshmëri!" Rama: Rusia po shkakton dhimbje në botë, shkelësit të dënohen si Millosheviç

Kryeministri Edi Rama i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të bashkuara të angazhohet me vepra dhe jo me fjalë për ndëshkimin e krimeve.

Në fjalën e mbajtur në cilësinë e presidencës së parë shqiptare ai foli për luftërat në zonat e konflikteve nga kosovar, Siria e Ukraina e tha se duhet të marrë fund pandëshkueshmëria.

Kryeministri Rama në fjalën e tij të parë, në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurisë se OKB-së tha se të gjithë së bashku duhet të punojnë për ta bërë botën më të vogël për shkelësit e ligjit, që askush të mos besojë më se mund të kryejë krime dhe mund të mos japë llogari.

“Duhet të bëjmë gjithçka mundemi që ta bëjmë botën gjithnjë e më të vogël për shkelësit duke përdorur mjetet dhe mekanizmat e llogaridhënies përmes drejtësisë. Pandëshkueshmëria duhet të mbetet histori.”

Si president i Këshillit të Sigurimit të OKB, kryeministri Edi Rama drejtoi debatin e nivelit të lartë mbi llogaridhënien ndërkombëtare, e vendosur si çështje në rendin e ditës nga Shqipëria si një ndër prioritetet e programit të vendit tonë në këtë këshill.  

Foli për konfliktet në Siri dhe luftën në Ukrainë. Rusia tha Rama, po shkakton dhimbje për mbarë botën dhe kjo kërkon vënie para përgjegjësisë.

Ndërsa rastin e Sirisë kryeministri e cilësoi si shembull tragjik, duke dështuar ta vëmë para përgjegjësisë.

“Krimet nuk duhet dhe nuk mund të mbeten të pandëshkuara. Kolegë ne duhet të dëshmojmë vepra e jo vetëm fjalë. Nuk duhet t’i lëmë shkeljet të bëhen normë. Shkelësit duhet të mos kenë vend në botën tonë, ata duhet të kenë vend pas hekurave si Sllobodan Millosheviç. Duhet t’i themi boll mosndëshkimit, u detyrohemi viktimave të luftës në Kosovë.”

Kryeministri ka theksuar se Shqipëria do të jetë në ballë për të vënë drejtësi dhe për të ndaluar krimet.

“Na duhet të dëshmojmë, vepra dhe jo vetëm fjalë. Na duhet të themi “Kurrë më”.