Vuçiç: Pas ndërlidhjes me Ukrainën, çështja e Kosovës edhe më e rëndë për t’u zgjidhur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka bërë të ditur se Qeveria e re e Serbisë do të formohet deri në fund të korrikut dhe se do t'i fillojë konsultimet me partitë politike pas formimit të përbërjes së re të Kuvendit.

“Ne duhet të merremi me sanksione dhe çudi të reja, në të cilat mund të dëmtohemi përsëri, kështu që ne do t’u kërkojmë partnerëve tanë evropianë të na ndihmojnë”, tha Vuçiq, më 31 maj, pasi bëri betimin për një mandat të ri pesëvjeçar si president.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Vuçiç tha se nga Qeveria e re pret rrugën evropiane dhe se kësaj rruge do t’i përkushtohet si president.

“E ndërlidhur me krizën në Ukrainë, çështja e Kosovës do të jetë edhe më e rëndë për ne që të zgjidhet”, tha Vuçiç.

Vuçiç bëri betimin për mandatin e dytë pesëvjeçar në një seancë solemne të Kuvendit të Serbisë, para deputetëve, anëtarëve të qeverisë, gjyqësorit, ushtrisë, policisë, bashkësive fetare dhe 75 përfaqësuesve të trupit diplomatik.

Në seancë mori pjesë edhe kryetarja e entitetit të Bosnjëe e Hercegovinës, Republikës Sërpska, Zheljka Cvijanoviç dhe anëtari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Para se të bënte betimin, iu drejtua mbështetësve:

“Do të ruaj paqen, stabilitetin, vendin tonë dhe Kosovën”, u tha Vuçiç mbështetësve të tij para Kuvendit të Serbisë, para se të bënte betimin.

“Në kushtet e krizës së madhe botërore do të përpiqemi që të mos e lëndojmë askënd duke e mbrojtur vendin tonë”, u tha Vuçiç qytetarëve të mbledhur.

Qindra mbështetës të tij u mblodhën para ndërtesës së parlamentit dhe Vuçiç “në mënyrë të veçantë falënderoi ata që erdhën nga Kosova”.

Qytetarët e mbledhur ndoqën betimin përmes video-pamjeve, ndërsa rreth ndërtesës së Kuvendit ka masa të forta sigurie.