"Scholz do godasë Ballkanin e Hapur", analistët në Kosovë presin që kancelari të intensifikojë Procesin e Berlinit

Analistët në Kosovë presin që kancelari gjerman Olaf Scholz të intensifikojë Procesin e Berlinit, i cili është parë se e ka humbur rolin e tij me themelimin e nismës serbe ‘Open Balkan’.

Në Kosovë, po pritet momenti që kancelari gjerman të mbërrijë në Prishtinë.

Olaf Scholz paralajmëroi një tur vizitash në vendet e rajonit tonë muajin e ardhshëm.

Drejtori i Institutit Epik, Demush Shaha beson se zoti Scholz do të japë disa mesazhe gjatë vizitës në Kosovë.

Njëra prej tyre, sipas Shahës është Procesi i Berlinit dhe intensifikimi i tij, në kohën kur dy liderët, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç po lobojnë për anëtarësime të reja në nismën serbe ‘Ballkani i Hapur’

Në radhët e ligjvënësve, deputeti Arbër Rexhaj nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se vizita e zotit Scholz në Kosovë do të jetë një mundësi e mirë për t’i dhënë vendit liberalizimin e vizave.

Liberalizimi i vizave pritet të diskutohet në fund të qershorit, në takimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.