Kosova në BE dhe NATO, Kurti: Po përgatisim aplikimin për t’u bërë pjesë e dy organizatave
Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova do të hedh një hap tjetër për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe strukturës ushtarake euroatlantike NATO. Lajmin e ka konfirmuar vetë kryeministri Albin Kurti.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur këtë të dielë mbledhjen e 57-të të Këshillit të Përgjithshëm.
Kosova do të shkojë një hap më tej duke bërë aplikim për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, tha kryeministri Kurti .
“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, tha Kurti.
Ai solli në vëmendje se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Kosova mund të bëhet pjesë e programit për partneritet dhe paqe të NATO-s. Ky është një program pararendës për t’i përgatitur vendet që duhet të bëhen pjesë e aleancës me politikat e saj të sigurisë. Për hyrjen në NATO, Kosovës i nevojiten edhe njohjet nga vendet e BE-së që s’e njohin, që janë edhe pjesë e aleancës veriatlantike.
Kurti solli në vëmendje edhe sfidat me të cilat është përballur qeverisja e tij, siç ka qenë pandemia dhe problemet ekonomike të sulmit pushtues të Rusisë në Ukrainë.
Më herët Kurti ka qenë në Amerikë, ku tha se ka takuar 7 senatorë, 12 kongresistë dhe 7 zyrtarë të lartë të qeverisjes amerikane, 2 guvernatorë të shteteve por edhe dhjetëra biznese.

