Afganët e Kosovës ‘non-grata’ në SHBA. Departamenti i Shtetit: Nuk e kanë kaluar procesin e verifikimit

Ëndrra e disa shtetasve afganë të cilët u strehuan përkohësisht në Kosovë që prej gushtit të vitit të kaluar është prerë në mes ndërsa ata po udhëtonin drejt Shteteve të Bashkuara për t’u riatdhesuar.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar për mediet në Kosovë se atyre u është ndaluar hyrja në territorin e SHBA-ve për shkak të mos kalimit në sitën e procesit të verifikimit.

DASH, ndërsa nuk jep detaje se për sa persona bëhet fjalë, thotë se ata mund t’i nënshtrohen procesit të verifikimit edhe për 365 ditë të tjera, në përpjekje për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Duke folur lidhur me atë se çfarë do të ndodhë me afganët të cilëve u është refuzuar hyrja në SHBA, zyrtari i DASH shpjegon se afganët në kampin Liya në Bondsteel, në Ferizaj mund të zhvendosen në një shtet të tretë, e po ashtu ekziston mundësia që edhe të kthehen në Afganistan me ndihmë të Uashingtonit, por kjo do të bëhej vetëm nëse kjo është zgjedhja e tyre.

Në mes të procesit të verifikimit, zyrtari i Departamentit të Shtetit thotë për mediet në Kosovë se do të ketë individë të tjerë të cilët përfundimisht nuk do të jenë në gjendje të zhvendosen në SHBA.

Pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit të kaluar, SHBA-ja nisi përpjekjet për largimin e afganëve të cilët kishin punuar për Uashingtonin dhe shtetet aleate, pasi ata dhe familjet e tyre ndiheshin të rrezikuar.

Kosova ishte zotuar të pranojë deri në 2,000 shtetas afganë, derisa atyre t’iu përfundojnë procedurat ligjore për riatdhesim në SHBA dhe vende të tjera.

Më shumë se 1,300 afganë janë strehuar në Kosovë që nga gushti 2021, kur është nënshkruar marrëveshja mes Kosovës dhe SHBA-së për strehimin e tyre deri në 365 ditë.