Gazprom i ndërpret furnizimin Holandës, nuk ka paguar faturat
Holanda është bërë shteti i katërt nga radhët e vendeve anëtare të BE-së që i ndërpritet furnizimi me gaz natyral rus.
Gjiganti rus i energjisë, Gazprom njoftoi të marrtën se ai kishte ndaluar përfundimisht furnizimin me gaz drejt kompanisë shtetërore holandeze, pasi kjo e fundit dështoi të paguante në monedhën ruse të rublas.
Afati i fundit për të konvertuar paratë e tyre në rubla ishte deri në 30 maj.
Kompania shtetërore holandeze, GasTerra më herët tha se kishte marrë masa për të shkurtuar furnizimin me gaz rus që në tetor të vitit të kaluar, me qëllim gjetjen e burimeve të tjera alternative.
Në fund të prillit, Gazprom pezulloi eksportin e gazit drejt Bullgarisë dhe Polonisë dhe ndërsa në maj ia ndërpreu edhe Finlandës.
Danimarka gjithashtu përballet me një ngrirje të furnizimit pas refuzimit të kërkesës së Rusisë për të paguar në rubla.
Skema e re e pagesës së Moskës kërkon që blerësit e gazit nga të ashtuquajturat vende jomiqësore që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, të hapin një llogari në Gazprombank.
Ata mund të depozitojnë fondet në monedhën që ata duan, të cilat banka më pas i konverton në rubla dhe i transferon te Gazprom.
