Lavrov hedh poshtë "diagnozat" mediatike për Putin
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov thotë se presidenti rus Vladimir Putin gëzon shëndet të plotë dhe se çdo njëri i arsyeshëm mund ta kuptojë atë pasi ai del çdo ditë në publik. Komentet e tij vijnë pas lajmeve që qarkullojnë nëpër media, ku flisnin për një sozi të mundshme të Putin.
Kryediplomati rus Lavrov ka hedhur poshtë lajmet që kanë qarkulluar ditët e fundit, lidhur me shëndetin e presidentit Vladimir Putin.
Ministri Lavrov thotë se lideri rus paraqitet në publik çdo ditë dhe asnjë person i arsyeshëm nuk sheh shenja të ndonjë sëmundjeje të tij.
Krahas lajmeve për sëmundje potenciale për 69-vjeçarin, së fundmi ka qarkulluar edhe një informacion se ai që shfaqet në ekran nuk është Putin, por sozia e tij.
Spekulimet kanë qenë të pakonfirmuara deri tani.
Burime të inteligjencës britanike u kanë thënë disa medieve, se kreu i Kremlinit ka qenë i sëmurë javën e kaluar.
Ato flisnin për sëmundje të rënda, madje edhe kancer.
Media, analistë, por edhe psikologë janë munduar që të shohin me detaje çdo dalje publike të presidentit rus.
Konkluzionet e tyre kanë qenë nga më të shumtat, duke parë disa veprime të çuditshme në sjelljet e tij që pas nisjes së agresionit në Ukrainë.
Shumë pretenduan për diabet, humbje shikimi, parkinson dhe disa thanë që presidenti mund të ketë deri në 3 vjet jetë.

