Rinas, çifti indian kapet me dokumenta false, shqiptari nuk deklaroi të hollat dhe bizhuteritë
Goditen 2 raste të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara në pikën kufitare të Rinasit, si dhe 1 rast i mosdeklarimit të të hollave apo sendeve me vlerë, në kufi.
Policia ka proceduar penalisht 3 poseduesit e tyre.
Gjatë përpunimit të dokumentacionit në dalje, një çift bashkëshortësh indianë, M. P., 23 vjeç dhe P. P., 22 vjeçe, të cilët kishin për qëllim udhëtimin e tyre nga Shqipëria drejt Francës, kanë paraqitur krahas pasaportave të tyre, edhe leje qëndrimi franceze.
Pas verifikimit të këtyre dokumenteve ka rezultuar se lejet e qendrimit të paraqitura, ishin të falsifikuara.
Në përfundim të veprimeve, materialet proceduriale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesore Tiranë, për vepren penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, po nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është proceduar penalisht shtetasi H. P., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë”.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm të bagazheve, si dhe për kontroll fizik, 59-vjeçarin.
Gjatë kontrollit të bagazheve, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bizhuteri (unaza, varëse dhe sende të tjera) të padeklaruara në degën e Doganës Rinas.

