Velipoja në garë për turistë, shqiptarët e Kosovës çelin sezonin, kritika për infrastrukturën
Çelja e sezonit turistik gjeti në plazhin e Velipojës kryesisht pushues besnike nga Kosova që e zgjedhin për çmimet konkuruese por që janë kritikë për mungesën e infrastukturës. Kryebashkiaku Bardh Spahia tha se prioritetet do jetë rritja e cilësisë së shërbimeve.
Pushuesit e parë në Velipojë janë nga Kosova. E zgjedhin për shkak çmimeve konkuruese dhe natyrës.
"Më qetë, më lirë, më pastër."
"Plazh i bukur dhe i pastër."
"Njerëzit i kuptoj më shumë këtu se atje në Ksamil."
Ka edhe prej atyre që kritikat i kanë në lidhje me infrastrukturën, duke kërkuar që në këtë drejtim të bëhet më shumë.
"Ka nevojë për më shumë punë për pastërti dhe rregull."
Bashkia e Shkodrës në mënyrë simbolike e çeli sezonin me një sërë aktivitetesh sportive.
Për kryebashkiakun Bardh Spahia, sfida në këtë sezon do të jetë rritja e cilësisë së shërbimeve, për ta kthyer Shkodrën destinacionin kryesor të turizmit.
"Jemi munduar që këtë vit të ndërhyjmë në përmirësimin e infrastrukturës rrugore por vëmendje të veçantë do ti kushtojmë dhe mbajtjes së pastërtisë në kushtet optimale si dhe garantimit të hapësirave publike".
Nga viti në vit kapacitetet akomoduese në Velipojë kanë ardhur duke u rritur dhe kjo vijë bregdetare me shtrirje nga Rrjolli e deri në grykederdhjen e Bunës, pret më shumë se 150 mijë turistë në pikun e sezonit.