Më i votuari në anëtarët e Kryesisë së re në PD, Belind Këlliçi nuk i thotë jo postit të Sekretarit të Përgjithshëm

Belind Këlliçi ishte kandidati më i votuar në listën fituese të 20 anëtarëve të Kryesisë së PD.

E tashmë kur organet drejtuese janë zgjedhur, pritet edhe zgjedhja e kupolës drejtuese të partisë pasi Sali Berisha u rikthye si kryetar pas 9 vitesh me votat e anëtarësisë së kësaj partie.

I ftuar në Ora News përballë gazetarit Everest Dedaj, Këlliçi nuk e fshehu ambicien për të kandiduar për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, por shtoi se do ti duhet një konsultim i gjerë në mënyrë që vendimi të jetë në favor të partisë.

Këlliçi: Tani që flasim nuk ka asnjë orë që ka dalë rezultati, ambicia ime ka qenë të jem pjesë e Kryesisë. Patjetër që në një moment më duhet të reflektoj, më duhet të ulem dhe me mbështetësit e mi, me gjithë faktorët në PD sepse më duhet të marr një vendim të pjekur që i shërben më së mirë PD, jo vetëm Belindit. Më intereson e mira e madhe, një PD fituese, kompakte, e cila mund Edi Ramën. Kudo ku në këtë puzzle Belindi shërben më shumë, unë jam i gatshëm ti bindem vullnetit të demokratëve. Sot që ne flasim sapo jam konfirmuar anëtar i Kryesisë, do të mbetet për tu parë në ditët në vijim.