Prehu në paqe President! Përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet, përkrahu Kosovën, kontribut në marrëdhëniet me SHBA e afrimin me BE
Politika shqiptare në Tiranë, Shkup e Prishtinë ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-Presidentit, Bujar Nishani. Ata vlerësojnë integritetin e tij, kontributin e gjatë në Partinë Demokratike, në qeveri, në shtet dhe në marrëdheniet me fqinjët e perëndimin.
Bashkëpunëtorë, kryetarë shtetesh, politikanë të djathtë e të majtë përcollën ngushëllime për vdekjen e ish-presidentit Nishani.
Ai konsiderohet më se shumti si një njeri me integritet dhe kontribut për politikën dhe vendin.
Sali Berisha, një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ndër vite, shkruan në mesazh se Bujar Nishani "ishte burrështetas i shquar, që përfaqesoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë".
Edhe drejtues të tjerë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike e konsiderojnë të trishte humbjen e Nishanit, i cili u angazhua në këtë parti në mënyrë aktive prej vitit 1991 e deri në momentet e fundit të jetës.
Presidenti Meta, kryeministri Rama gjithashtu kanë përcjellë mesazhe ngushëllimi.
Nga Kosova, presidentja Osmani përmes një postimi, shkruan se Nishani përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën pareshtur deri në frymën e fundit.
Ajo vlerëson atdhetarizmin e tij dhe modelin e politikanit racional e me integritet.
Edhe Ambasada amerikane në Tiranë i përcolli ngushëllime familjes së Nishanit, duke vlerësuar kontributin për Partinë Demokratike, zhvillimin e Shqipërisë dhe marrëdhëniet SHBA-Shqipëri gjatë mandateve të tij si President dhe Ministër.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri gjithashtu vlerësoi kontributin e rëndësishëm të tij për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
