Mediu: Rusia synon destabilizimin e Ballkanit, Serbia po armatoset pa asnjë lloj kërcënimi

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, nga parlamenti rumun deklaroi se Rusia është në aleancë me Kinën, dhe të dy vendet bashkë, pas asaj që po ndodh në Ukrainë synojnë destabilizimin edhe të Ballkanit. Për Mediun është e pashpjegueshme arsyeja e armatosjes së Serbisë pa pasur asnjë lloj kërcënimi.

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu vijon vizitën e tioj në Rumani.

Pas takimit me kryeministrin, Nicolae Ciuca, Mediu sëbashku me kolegun e tij socialist Toni Gogu, morën pjesë në konferencën për sigurinë që u mbajt në parlamentin rumun, dhe ku ishin të pranishëm deputetë nga gjithë vendet e Europës Juglindore, parlamentit Britanik, si dhe SHBA-së.

Mediu si bashkëorganizator i këtij aktiviteti me deputetë të parlamentit rumun, vuri theksin se çështjet e sigurisë janë shumë komplekse dhe kërkohet që parlamentet të përfshihen gjerësisht.

Ai theksoi se presidenti rus Vladimir Putin në mënyrë të paligjshme sulmoi Ukrainën duke kërkuar të destabilizojë gjithë Europën.

Duket qartësisht, tha ai, se në këtë përpjekje Rusia ka një aleancë të qartë me Kinën.

Ish-ministri i Mbrojtjes vuri në dukje se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina duke shpenzuar rreth 3% të GDP pa pasur asnjë lloj kërcënimi, prania e Rusisë dhe Kunës në rajon, problemet në BiH, qëndrimi për shkëputje të Republika Sërbska në koordinim me Moskën, frenimi i dialogut Kosovë-Serbi dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës e bëjnë Ballkanin shumë të dobët dhe të cënueshëm.

Krahasimet që bëhen ndërmjet Kosovës dhe Ukarinës janë krejt pa baza dhe tregojnë qartë që Rusia kërkon të krijojë tensione në Ballkan.

Samiti i NATO-s ka një rëndësi të jashtëzakonshme dhe kërkoi që vendet anëtare të NATO-s në Ballkan të dalin me qëndrim të përbashkët për të shmangur influencat dhe tensionet e mundshme të stimuluara nga Rusia dhe Kina.

Në fund, kreu i republikanëve ritheksoi qëndrinin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, se duhet të pranojmë se zgjedhjet tona ekonomike kanë pasoja për sigurinë tonë, duke shtuar se Liria është më e rëndësishme se tregtia e lirë.