Pallati në Vlorë rrezikon shembjen, një prej banorëve e kthehu apartamentin në lokal

Banorët e një pallati në Vlorë kërkuan të premten garanci nga Bashkia se do u paguajë bonusin e qirasë. Ata u detyruan të lënë shtëpitë e tyre pasi një prej banorëve të katit të parë kthehu apartamentin në lokal, duke shkaktuar dëme në strukturën e gjithë objektit.

40 familje në lagjen "24 Maji" në Vlorë jetojnë me frikën se pallati i tyre mund të shembet.

Në vitin 2009, një banor i katit të parë e kthehu apartamentin në lokal, duke ndërhyrë më muret mbajtëse.

Sipas banorëve punimet kanë shkaktuar dëme në banesat e tyre.

"Ka dëmtuar pjesën kryesore, ka hapur komplet themelin. Muret mbajtëse të pallatit i ka rrëzuar në shesh."

"Në pallat është prerë muri mbajtës në anën e jugut, janë pallate parafabrikate, nuk kanë kolona. Ka lëvizur pallati, është çarë."

"Është shkëputur soleta nga njëra tjetra 10 mm."

Emergjencat civile i njoftuan se duhet të lënë apartamentet, ndërsa të enjten u miratua edhe bonusi i qirasë.

Por banorët kërkojnë garanci nga institucionet, ndaj të premten dolën në protestë.

"Nuk mund të ikim pa u marrë një vendim se çfarë do bëhet me pallatin."

Sipas ekspertizës së kryer nga Instituti i Ndërtimit, pallati nuk është vlerësuar për tu shembur.

"Nuk ka problem në strukturë apo të ketë rrezikshmëri që pallati të rrëzohet."

Edhe pse ka vënë në rrezik jetën e 40 familjeve, ndaj pronarit të lokalit është vendosur vetëm një gjobë prej 500 mijë lekësh.