“Fermë” Bitcoin-i në Shkodër, 16 pajisje prodhonin kriptomonedha me energji të vjedhur
Një laborator i prodhimit të paligjshëm të Bitcoin është zbuluar në Shkodër. 16 pajisje prodhonin para virtuale me energji të vjedhur. Poseduesi është në kërkim, ndërsa bashkëpunëtori në pranga.
Një e ashtuquajtur ferme kriptomonedhash u zbulua në Shkodër.
16 pajisje elektronike që shërbenin për gjenerimin parave virtuale ishin vënë në punë me një lidhje të paligjshme energjie.
Laboratori i paligjshëm ishte ngritur në një magazinë në lagjen “Salo Halili“.
Hetimet e policisë së Shkodrës nën emrin e koduar “Avalon”, zbuluan se posedues i pajisjeve është 21-vjeçari Jetmir Mehja.
Por ky u fundit u shpëtoi arrestimit. Ai u shpall në kërkim për për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”; “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, kryer në bashkëpunim; “Fshehja e të ardhurave”; “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Në pranga përfundoi bashkëpunëtori i tij Elvis Mehja, 43 vjeç, të cilit në banesë iu gjet edhe një sasi e kanabisi.
Lidhja e paligjshme e energjisë me të cilën punonin pajisjet e prodhimit të kriptomonedhave i kushtoi hetim në gjendje të lirë një punonjësi të OSHEE-së.
31-vjeçari me detyrë lexues akuzohet për shpërdorim detyre.
Që kur Bitcoin, arriti vlera historike në bursë, trendi i kriptomonedhave ka prekur edhe vendin tonë.
Muajt e fundit janë zbuluar disa laboratorë të paligjshëm të prodhimit të parave virtuale.
