Siri, shpëtohen edhe 13 shqiptarë, Antiterrori nxjerr nga “ferri” 4 gra dhe 9 fëmijë
Katër gra dhe 9 fëmijë shqiptarë janë nxjerrë nga kampet e Sirisë dhe i janë dorëzuar antiterrorist për tu kthyer në Shqipëri. një zyrtar i lartë sirian njoftoi se operacioni është kryer me sukses dhe 13 shtetasit shqiptarë tashmë pritet të mbërrijnë në atdhe ku do të dërgohen për rehabilitim tek grupi i parë i të kthyerve nga Siria. Mes personave të liruar nga kampet është edhe gruaja dhe dy djemtë e Genci Ballës i dënuar për terrorizëm në Shqipëri.
Antiterrori shqiptar në bashkëpunim me autoritetet e huaja përfshirë edhe institucionet siriane kanë nxjerrë në liri edhe 13 shtetas që kishin mbetur në kampet e Sirisë Alhol dhe Roi.
Lajmi është publikuar në Twitter nga zyrtari i lartë sirian Abdulkari Omar. Përmes një postimi ai njoftoi riatdhesimin e 13 shqiptarëve.
“Më 27 Maj 2022, 13 shtetas shqiptarë (4 gra dhe 9 fëmijë) të familjeve të organizatës ISIS i janë dorëzuar një delegacioni zyrtar të qeverisë shqiptare, pas nënshkrimit të dokumentit zyrtar”, ka shkruar zyrtari.
Mes personave të kthyer nga Siria është edhe Almira Kastrati , ish gruaja e Genci Ballës i cili vuan dënimin për terrorizëm në burg në Shqipëri. bashkë me nënën, mësohet se janë nxjerrë nga kampet siriane edhe dy djemtë e të dënuarit në Tiranë.
Në total që nga fillimi i operacionit antiterroti ka riatdhesuar 38 shqiptarë, të cilët prej vitesh mbaheshin në 2 kampet Alhol dhe Roi.
policia shqiptare nuk ka dhënë detaje të reja në lidhje me operacionin ndërsa pritet që 14 shtetasit shqiptarë të zhvendosën në reabilitim aty ku prej kohësh qëndrojnë edhe grupi i parë që më herët janë nxjerrë nga kampi dhe janë kthyer në atdhe.
Prej vitit 2020 kur edhe nisi operacioni nga policia shqiptare dhe autoritetet e huaja në atdhe janë rikthyer floresha Rasha, Endri Dumani e ndërsa motra e tij vijon të qëndroje në kamp.
Po ashtu edhe Brunilda Koçollari nga Tirana me 5 fëmijët e saj, Emanuela Vladi nga Dibra, nënë e 4 fëmijëve, Ruzhdije Balliu nga Librazhdi, Lavdie Kaca nga Tirana dhe 2 fëmijët e saj, si dhe Klotilda Zani nga Tirana me 3 fëmijë janë riatdhesuar më herët në vëndin tonë.
Grupi i akuzuar për terrorizëm ka dërguar në Siri disa vite më parë dhjetëra qytetarë shqiptarë përfshirë familjet e tyre dhe gratë e fëmijët që kanë mbetur vetëm pasi kryefamiljarët janë vrarë në radhët e Isis, gjatë luftimeve.
Gratë dhe fëmijët janë mbajtur më pas në kampe për të mjekuar të plagosurit duke mos u lejuar te kthehen në atdhe.