Tërheqja e Dukës nga komisioni për investitorët strategjikë, PD: E Ridërguam kërkesën, futen Alibeaj e Basha

Grupi Parlamentar i PD ka ridepozituar sot të korrigjuar kërkesën me nënshkrimet e jo më pak se 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pas tërheqjes së deputetit Agron Duka.

Kërkesa ka lidhje me ngritjen e komisionit hetimor për investitorët strategjikë, i cili dështoi pas tërheqjen se deputetit Duka.

Në këtë kërkesë është specifikuar se është tërhequr Agron Duka. Janë shtuar Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.

Njoftim i Grupit Parlamentar të PD:

Grupi Parlamentar i PD ka ridepozituar sot të korrigjuar kërkesën me nënshkrimet e jo më pak se 35 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, pas tërheqjes së deputetit Agron Duka. Dëshirojmë të theksojmë se për deputetët nismëtar, zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e interesit publik, janë detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Qëllimi i ngritjes së Komisionit Hetimor nuk është targetimi i posaçëm i asnjë investitori të ligjshëm, por të evidentojë abuzimet me ligjin dhe të marrë masat për frenimin e këtyre fenomeneve negative, korruptive dhe klienteliste. Pasuritë publike nuk mund të jenë kurrë plaçkë për miqtë dhe familjarët e Edi Ramës, dhe detyra e Kuvendit është të marrë masat për të ndaluar abuzimet me zbatimin e ligjit për investimet strategjike dhe të nxjerr përgjegjësitë për këdo që ka shkelur ligjin.