ADN-ja e lashtë zbulon sekretet e viktimave të Pompeit

ADN-ja e lashtë zbulon sekretet e viktimave të Pompeit

Studiuesit që studiojnë mbetjet njerëzore nga Pompei, kanë nxjerrë sekrete gjenetike nga eshtrat e një burri dhe një gruaje që u varrosën kur qyteti romak u përfshi nga hiri vullkanik.

Ky është i pari "gjenom njerëzor Pompeian", një grup pothuajse i plotë i "udhëzimeve gjenetike" nga viktimat, të koduara në ADN-në e nxjerrë nga kockat e tyre.

ADN-ja e lashtë u ruajt në trupa që ishin mbështjellë në hirin e ngurtësuar nga koha.

Gjetjet janë publikuar në revistën Scientific Reports.

Dy personat u zbuluan për herë të parë në vitin 1933, në atë që arkeologët e Pompeit e kanë quajtur Casa del Fabbro, ose Shtëpia e Zejtarit.

Ata u rrëzuan në cep të dhomës së ngrënies, pothuajse sikur po hanin drekë kur ndodhi shpërthimi - më 24 gusht në vitin 79 pas Krishtit. Një studim i fundit sugjeroi se reja e madhe e hirit nga shpërthimi i malit Vezuv mund të ishte bërë vdekjeprurëse për banorët e qytetit në më pak se 20 minuta.

 Struktura, forma dhe gjatësia e dy skeleteve tregojnë se një grup mbetjesh i përkiste një burri që ishte midis 35 dhe 40 vjeç kur vdiq, ndërsa mbetjet e tjera skeletore tregojnë një grua 50-vjeçare.

Pompei ishte shtëpia e deri në 20,000 njerëzve përpara se të shkatërrohej nga shpërthimi. Pompei është një nga vendet arkeologjike më të studiuara intensivisht në botë, por marrja e informacionit të detajuar gjenetik nga mbetjet skeletore të ruajtura në Pompei i kishte shpëtuar prej kohësh shkencëtarëve.

Analiza e gjenomit ka hedhur dritë mbi diversitetin gjenetik të popullatës njerëzore që jetonte në Gadishullin Italian, kur Pompei u shkatërrua gati 2000 vjet më parë.

Shkencëtarët krahasuan ADN-në nga mbetjet e njeriut me atë të 1030 njerëzve të lashtë dhe 471 individëve të Euroazisë perëndimore.

Gjetjet e tyre tregojnë se ai ndante ADN të ngjashme me italianët modernë qendrorë dhe njerëzit e tjerë që jetuan në Itali gjatë epokës perandorake romake, e cila ndodhi nga viti 27 para Krishtit deri në 476 pas Krishtit.

Analiza e mëtejshme e ADN-së mitokondriale të individit mashkull, e cila lidhet me prejardhjen e tij matrilineale, dhe kromozomin e tij Y, që pasqyron linjën mashkullore, zbuloi gjithashtu grupe gjenesh që gjenden shpesh te njerëzit nga Sardenja, por jo tek njerëzit e tjerë që banonin në Itali. gjatë epokës perandorake romake.