U dekorua nga presidenti/ Kuzhinieri i njohur rrëfen rrugëtimin e tij 26-vjeçar në gastronomi
Kuzhinieri i njohur Edmond Salaj është dekoruar së fundmi nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për kontributin e tij në gastronomi. I ftuar në “Jeto me Orën” në RTV Ora, ai foli për karrierën e tij të gjatë dhe emocionet për dekorimin nga presidenti.
“Të rinjtë kanë dëshirë të mësojnë. Ndihem krenar kur shoh tani nëpër restorante studentë të mitë që janë shefa kuzhine. Nga përvoja, më mjaftojnë dy javë për të parë cili student bëhet kuzhinier, dhe cili nuk mund të bëhet", tha Salaj.
Ai tregoi gjithashtu dhe historinw se si rrugëtimi i tij në fushën e gastronomisë.
Edmond Salaj: "Historia ime është e veçantë të them të drejtën. Në vitin 1996 shkova në Itali, isha vetëm 19 vjeç. Hyra në kuzhinë, jo vetëm se e kisha pasion, por si emigrant që isha duhet të bëja një punë. Kaluan 2 vjet e unë merresha me antipastat, me pjatat e ftohta , dhe ditë pas dite u dashurova me punën, gjeta veten dhe thashë këtu do rri. Pasi ika në Angli, atje qëndrova 8 vjet dhe atje bëra shumë bum. Atje mësova shumë, dilja në televizion të Birningamit. Kuzhina italiane është mesdhetare dhe është “on top”, kam debulesë për këtë kuzhinë. Aty ka art dhe shije. Kuzhina angleze më pëlqen, këtu nuk e pëlqejnë, me idenë që në Angli hanë vetëm patate dhe salçiçe si në Gjermani. Kjo nuk është e vërtetë. Anglia ka kuzhinë shumë të bukur. "
Salaj tregoi dhe për periudhën kur u rikthye në Shqipëri.
Edmond Salaj: "Rikthimi në Shqipëri ishte bombë e vërtetë, ishte viti 2003, situata ishte shumë keq, 8 vjet pa ardhur në Shqipëri, një ndryshim total. Nga Londra në Tiranë, ishte ndryshim total, fillova punë në një restorant italian këtu në Tiranë, gatimet i bëja siç doja vetë, menunë e përpilova unë. Puna në Shqipëri ka shumë lodhje, orë të gjata pune, klientët janë më të vështirë këtu. Së pari, klientët shqiptarë duan sasi, mendimi im për kuzhinën ka qenë cilësia, jo sasia. Ky perceptim po ndryshon këto tri vitet e fundit."
Ai foli edhe për pjatën të cilën më së shumti preferojnë klientët, teksa përmendi qoftet e Korçës si më të preferuarat.
“Unë jam tirons dhe bëhem xheloz kur më kërkojnë qoftet e Korçës, dhe jo tavën e dheut përshembull. Përsa i përket ëmbëlsirave kërkojnë tradicionalet, bakllava, kadaif, e këto", tha ai.
Për dekoratën nga presidenti Meta, Salaj tha: “E vlerësoj dekorimin nga presidenti Meta. Ai vlerëson profesionistët, paraadhësit e tij nuk e kanë bërë. Do të ishte shumë mirë që brez pas brezi të dekoroheshin profesionistët."
