Më pak diplomime këtë vit në vendin tonë. Ja çfarë thonë ekspertët

Nga viti në vit numri i të diplomuarve në vendin tonë po ndryshon në mënyrë drastike. Statistikat e fundit të INSTAT kanë treguar se në vitin shkollor 2020-2021 janë diplomuar në rang vendi rreth 96 mijë nxënës dhe studentë, me një ulje 2.2 % në krahasim me vitin shkollor 2019-2020.

Ulja e numrit të të diplomuarve është më e dukshme në arsimin 9-vjeçar, duke reflektuar dukshëm uljen e lindshmërisë, t’kurrjen e popullsisë dhe emigracionin.

Për të folur për këtë temë, ishin të ftuar në “Jeto me Orën” në RTV Ora, eksperti i arsimit Qemal Çejku, pedagogia Ilirjana Kucana, studenti Florjan Nezha dhe senatori i Universitetit të Tiranës Eljon Mulgeci.

Qemal Çejku: "Ka fenomene që janë në dorën e njeriut, ka të tjera që nuk janë në dorën e njeriut. Nuk ka më lindshmëri, si më parë. Kjo nuk është në dorën tonë. Ajo që është në dorën tonë është që të evitojmë braktisjen nëpër shkolla, që vazhdon të jetë fenomen edhe sot. Dhe politikat në arsim të mos lejojnë familjet të ikin masivisht nga Shqipëria."

Ilirjana Kucana: "Shoqëria përpara shkon vetëm përmes një arsimimi të mirë. Në vendin tonë nuk respektohet më roli i mësuesit dhe pedagogut. Më përpara kishim respekt për mësuesit e pedagogët, sot nuk ka respekt. Kanë ndodhur shumë gjëra gjatë këtyre viteve. Mungesa e fokusit në arsim, mungesa e financimit mbetet plagë e madhe. Pjesa e kërkimit shkencor për pedagogët është plaga më e madhe në arsimin e lartë. Pagat e mësuesve dhe pedagogëve janë më të ulëtat në rajon, dhe nga ana tjetër."

Qemal Çejku: "Ne i jemi drejtuar gjithmonë Finlandës për kurrikulën mësimore. Në këtë vend 10% e gjimnazistëve që dalin ekslentë, ndjekin shkollën për mësuesi. Në Shqipëri, është e kundërta, 20% e gjimnazistëve që dalin më të dobët, shkojnë në këto degë."

Florjan Nezha: "Unë vetë si student has tri problematika për arsyet pse një student nuk arrin të diplomohet. E para është te kurrikulat parauniversitare. Universitet i shtyjnë studentët drejt tregut të punës, jo drejt degës që ata duan vërtet. Problematika e dytë lidhet me politikat e punësimit, ndërsa e treta lidhet me tarifat universitare."

Eljon Mulgeci: "Nisur nga statistikat e fakulteteve, për këtë vit, kanë dale me rezultatet më të ulëta në historinë e universiteteve pasi dhe mësimi online i ka gjetur të papërgatitur mësuesit, pedagogët por edhe studentët. Mësimi online dha një goditje shumë të forte gjithë sistemit arsimor."