Duka: U dhamë përgjigje skeptikëve që mendonin se do të dështonim
Presidenti i FSHF, Armand Duka foli nga shtëpia e futbollit në lidhje me organizimin e finales së Conference League. I shoqëruar ne këtë konferencë nga stafi organizator, Duka i falënderoi të gjithë për kontributin.
Sipas kreut të FSHF-së, evenimenti i organizuar nga Shqipëria është një histori suksesi.
"Jam krenar për këtë eveniment shumë të ndjekur që e transmetuan 155 vende dhe u ndoq nga rreth 400 milionë njerëz. Uroj Romën për suksesin edhe pse fitues ishin të dyja ekipet e finales. Askush nuk do ta mendonte përpara disa viteve që një vend si Shqipëria do të kishte kapacitete për organizimin e këtyre përmasave.
U dhamë përgjigje të gjithë skeptikëve që menduan se nuk mund të organizonim një finale të tillë. Kemi pritur 60 delegacione zyrtare dhe përfaqësuesit e 25 federatave të ndryshme por edhe drejtuesit e lartë të UEFA-s. Kemi pritur 20 mijë tifozë në stadium dhe po kaq jashtë stadiumit. Vetëm tani e kuptojmë sa krenarë duhet të jemi. Falënderoj qeverinë, bashkinë dhe drejtuesit e aeroportit, Ministrinë e Financave dhe Kryeministrin. Nuk bëj servilizma por kryeministri u është përgjigjur të gjitha shqetësimeve tona dhe e falënderoj publikisht".


