“Deti” në Hagë, Shqipëria s’është gati, Xhaçka: Jo vetëm çështja e Metës, por edhe kompromisi me grekët
Për të shkuar në Hagë dhe për të bërë gati dosjen e çështjes së detit, qeverisë së Edi Ramës i nevojitet një President që nuk i bëhet pengesë si Ilir Meta dhe nga ana tjetër duhet të gjejë dakordësinë me palën greke për çështjet që Haga kërkon kompromisin e dy shteteve të përfshira.
Shqipëria ende nuk është gati për të shkuar në Hagë për t’u përballur me shtetin grek për delemitimin e kufirit detar mes dy vendeve.
Qeveria e Edi Ramës një nga pengesat për të shkuar në Gjykatën ndërkombëtare pritet ta kapërcejë pas 24 korrikut, datë që shënon largimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit.
Por ministrja e Jashtme Olta Xhaçka pranon se vendi ynë ende nuk ka arritur të gjejë dakordësinë e palës tjetër për të gjitha detajet teknike që kërkon Haga.
Xhaçka: Nuk është çështje që ka lidhje vetëm me presidentin, por me përgatitjen e të dyja vendeve për të gjetur kompromisin që më pas të shkojë në gjykatë. Në atë fazë jemi dhe kur të vijë momenti që të jemi gati do të ulemi për t’u dakordësuar sipas të gjitha kompromiseve që kërkon gjykata ku do ta çojmë çështjen.
Një vit më parë Presidenti Ilir Meta refuzoi t’i jepte kryeministrit Rama autorizimi për të çuar “detin” në Hagë, pasi qeveria nuk i dha informacionin e kërkuar nga ekzekutivi mbi të gjitha hapat në të cilat do të kalonte ky proces.
