Ura që po ndërton Kina në kufirin me Himalajet nxit konflikt me Indinë

Kina po ndërton një urë përtej një liqeni në Ladakh në kufi me Himalajet, një veprim i dënuar nga qeveria indiane, e cila e quajti atë një “ndërtim të paligjshëm”.

Një gjeneral në pension i ushtrisë Indiane, tha se ura e re është në gjendje të mbështesë tanket dhe transportuesit e personelit të blinduar.

 “Ajo që ura i shton aftësive kineze është aftësia për të lëvizur me shpejtësi forcat midis brigjeve veriore dhe jugore të liqenit Pangong Tso, gjë që u mungonte më parë”, tha gjenerali i ushtrinë indiane Rohit Gupta.

Ladakh është vendi i një konfrontimi të vazhdueshëm midis dy kombeve.

Ishte një pikë zjarri midis Indisë dhe Kinës në mesin e vitit 2020 , kur përleshjet e dhunshme vranë 20 ushtarë indianë dhe pesë ushtarë kinezë.

Liqeni Pangong Tso është në territorin e diskutueshëm të pretenduar nga të dy vendet. Kina ka kontrolluar dy të tretat e liqenit që nga vitet 1960, dhe India mban një të tretën e mbetur.

“Ne kemi parë raporte të një ure që po ndërtohet nga Kina në liqenin Pangong së bashku me urën e saj të mëparshme. Të dyja këto ura janë në zona që kanë vazhduar të jenë nën pushtimin e paligjshëm të Kinës që nga vitet 1960, “ tha zëdhënësi i ministrisë së punëve të jashtme të Indisë, Arindam Bagchi.

Kina dhe India kanë ende dhjetëra mijëra trupa të grumbulluara në kufi, pavarësisht 15 raundeve të bisedimeve për të ulur tensionet ushtarake pas një konfrontimi të dhunshëm në 2020.