Stërvitje e përbashkët ruso-kinez, “aleatët” stërviten pranë ishullit pasi Bideni kërcënoi për Tajvanin

Rusët dhe kinezët kanë nisur stërvitjen e tyre të përbashkët që pas nisjes së luftës në Ukrainë. Teksa Bideni ndodhej në Tokio dhe paralajmëroi luftë po qe se Kina hyn me forcë në Tajvan, aleatët zgjodhën të stërviteshin edhe pranë vendit ishullor.

Kinezët dhe Rusët kanë ndërmarrë një stërvitje të përbashkët në Detin e Japonisë dhe atë të Kinës Lindore.

Kjo është stërvitja e parë e aleatëve që pas nisjes së luftës në Ukrainë, më 24 shkurt.

Stërvitja e rusëve dhe e kinezëve, të dyja fuqi bërthamore, përkon edhe me vizitën disaditore të Presidentit amerikan në Azi.

Teksa Bideni do të deklaronte nga Tokio se amerikanët janë të gatshëm që ta mbrojnë edhe me armë sovranitetin e Tajvanit, por janë pro politikës “Një Kinë”, aleatët sino-rusë zhvilluan stërvitje të përbashkët edhe pranë vendit ishullor.

Shtëpia e Bardhë e dënoi stërvitjen ajrore. “Kjo tregon se Kina vazhdon të jetë e gatshme të lidhet ngushtë me Rusinë, pavarësisht brutalitetit që Rusia po kryen në Ukrainë”, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden.

Patrulla e përbashkët 13-orëshe në Detin e Japonisë dhe të Kinës Lindore u krye sipas planit vjetor të bashkëpunimit ushtarak të dy vendeve, deklaruan ministritë përkatëse, kineze dhe ruse. 

Më herët, në shkurt, presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti kinez Xi Jinping u zotuan se miqësia midis dy shteteve nuk kishte "kufij" dhe se nuk kishte "sfera "të ndaluara" të bashkëpunimit.