Ligjvënësja ukrainase i bën thirrje Gjermanisë që të mbështesë urgjentisht Kievin me armë

Ligjvënësja ukrainase Anastasia Radina është shpehur se vendet perëndimore si Gjermania duhet të kapërcejnë ngurrimin për të furnizuar Ukrainën me armë moderne pasi Kievi rrezikon t'i mbarojë rezervat në luftën me Rusinë.

"Ne kemi vetëm një zgjedhje, dhe kjo është të marrim armatime të stilit modern të NATO-s, sepse nuk mund ta fitojmë luftën me armatimin e stilit sovjetik që kemi," tha Radina.

Ajo tha se rezervat e armëve të prodhuara nga sovjetikët ishin të kufizuara në mbarë botën dhe Moska ka shumë më tepër nga këto armë sesa Kievi.

"Ajo që ata po bëjnë është që ne të na mbarojnë armët ose perëndimi kolektiv të jetë më pak i bashkuar dhe më i preokupuar me problemet e veta," tha Radina.

Gjithashtu ajo kërkoi që qeveria gjermane duhet të kuptojë se Ukrainës po i mbaron koha.

"Është koha që Gjermania të tregojë në veprim se me kë qëndron. Ndaloni së furnizuari Rusinë me para që në thelb të jetë në gjendje të blejë armë dhe të vrasë civilët ukrainas dhe të ndihmojë Ukrainën me municionet e duhura", tha Anastasia Radina.