Tragjedia me 21 të vrarë në Teksas, momenti kur prindërit vrapojnë drejt shkollës ku vdiqën 19 nxënës (VIDEO)
Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e djeshme (24 Maj) në Teksas të SHBA, ku një adoleshent, vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur.
Ndërkohë së fundmi në mediat e huaja, është publikuar një video, ku shihen prindërit duke vrapuar të dëshpëruar drejt shkollës fillore Robb në Uvalde, Teksas.
Mësuesja e klasës së katërt Eva Mireles u vra së bashku me të paktën 19 fëmijë. Sakaq sipas asaj që raportojnë mediat e huaja, halla e Mireles, Lydia Martinez Delgado dha një deklaratë.
“Këta fëmijë janë të pafajshëm. Armët nuk duhet të jenë lehtësisht të disponueshme për të gjithë. Kjo është vendlindja ime, një komunitet i vogël me më pak se 20,000 banorë.
Nuk e kisha imagjinuar kurrë se kjo do t’u ndodhte veçanërisht njerëzve të dashur. Gjithçka që mund të bëjmë është të lutemi për vendin tonë, shtetin, shkollat dhe veçanërisht familjet e të gjithëve”.
Ndërkohë autori i ngjarjes është qëlluar për vdekje nga policia, sakaq fëmijët që kanë humbur jetën mësohet se kanë qenë të moshës nga shtatë deri në 11 vjeç.
Autori Salvador Ramos qëlloi gjyshen e tij përpara se të hynte në shkollë dhe të hapte zjarr, tha guvernatori Greg Abbott. Gjyshja u transportua me helikopter në spital por nuk dihet gjendja e saj.
Ky ishte incidenti më vdekjeprurës i tillë që kur 14 nxënës të shkollave të mesme dhe tre punonjës të stafit u vranë në Parkland, Florida në vitin 2018 – dhe më i keqi në një shkollë fillore që nga të shtënat në Sandy Hook të vitit 2012 në Connecticut, në të cilin u vranë 20 fëmijë dhe gjashtë punonjës.
