Përfundon regjistrimi fillestar në Finiq, në Bashkinë e minoritetit jepen certifikatat e para online

Prej vitit 1994, kur ka nisur regjistrimi fillestar i truallit, procesi është kthyer në një kalvar i mbartur ndër vite. Nga Finiqi ku ka dorëzuar edhe certifikatat e para të pronësisë në mënyrë elektronike, kreu i Kadastrës, Artan Lame ka bërë me dije se procesi po ecën me ritme të shpejta në ato zona ku kanë gjetur edhe bashkëpunimin e Bashkisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, ka dorëzuar certifikatat e para të pronësisë në mënyrë elektronike në Finiq, ku njoftoi dhe mbylljen e procesit të azhornimit të hartës së tokës bujqësore, e bërë kjo në bashkëpunim me Bashkinë.

Lame theksoi se që prej vitit 1994, kur ka nisur regjistrimi fillestar, procesi është kthyer në një kalvar i mbartur prej vitesh.

"Jemi munduar ta nxisim këtë proces në ato njësi vendore ku Bashkitë, kanë bashkëpunuar me Kadastrën, të bëjnë punimet fushore dhe pastaj ky material i kalon Kadastrës, ku pas një pune voluminoze materiali përpunohet, hidhet në sistem dhe prodhohen certifikatat".

Lame ka bërë një ftesë dhe për bashkitë e tjera që të bashkëpunojnë me Kadastrën për të përmbyllur procesin e regjistrimit.

 “Ftojmë publikisht edhe Bashki të tjera që, përmes bashkëpunimit me Kadastrën, të përshpejtojnë procesin e regjistrit filestar. Këtu në Finiq, me këtë mënyrë operimi përfunduam regjistrimin e pronave në Aliko dhe kemi për të bërë edhe zona të tjera, në Çaush, Kodër dhe Buronjë, pjesë të kësaj Bashkie monoritare”.

Ndërsa për kryetarin e Finiqit, kjo është një risi, që pas 30 vitesh minoriteti grek arrin që të certifikojë pronat e veta dhe kështu të bëjë të mundur hapin kryesor që pengon investimet.

"Ky është hap i rëndësishëm që e kemi filluar dhe do e mbarojmë shumë shpejt, sepse synimi jonë në Bashkinë e Finiqit është që ti japim zhvillim maksimal industrisë së Turizmit. Vetëm me këtë ne mund të mirëadministrojmë situatën në zonën tonë”.

Në vijim të aktivitetit demonstrua emetimi i certifikatave të pronësisë në rrugë elektronike, direkt në llogaritë personale të disa prej banorëve përfitues të pranishëm në ceremoni.