Balla: Nuk e kuptoj pse PD u tërhoq nga procesi, vendi me President ose Presidente në raundin e katërt

24 orë para përfundimit të afatit zyrtar për mbajtjen e raundit të dytë për votimin e presidentit në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, u ka bërë thirrje kolegëve të  grupeve parlamentar të opozitës për të propozuar emrat për kandidat për President. Nga qyteti i Fierit, Balla tha se orët në vijim në mbyllje të afatit duhet të përdoren me përgjegjësi dhe nuk duhet të digjet raundi i dytë, siç ndodhi me të parin.

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Taulant Balla, mori pjesë në mbledhjen me Këshillat  Socialist të Fierit.

Në një prononcim për mediat pas mbledhjes, Balla foli dhe për procesin e Presidentit të Republikës, ku u bëri thirrje grupeve parlamentare të opozitës për të propozuar emrat për kandidatë për Kreun e ri të Shtetit.

Balla: Konstatoj me keqardhje që nga ana e opozitës nuk ka një qasje për të marë përgjegjësinë për të propozuar zyrtarisht kandidatura. Nuk e kuptoj pse PD si grupi më i madh në Kuvend u tërhoq nga një proces për të sjellë kandidatura. Do të ishte jo produktive që të digjnim edhe raundin e dytë për zgjedhjen e presidentit.

Ne e respektojmë marrëveshjen që kemi rënë dakord me grupin parlamentar të PD dhe grupet e tjera që dy raundet janë raunde që i takojnë propozimit për kandidat për president nga opozita. Nëse opozita dhe në raundin e tretë nuk vendos që të marë pjesë në proces, natyrshëm që në raundin e 4 do të zgjidhet Presidenti apo Presidentja e re e Republikës.

Balla ftoi këdo që ka dëshirën dhe vizionin për të drejtuar dhe energjizuar drejtimin e PS në nivel bashkie, të marrë pjesë në këtë proces.

Balla: Apeli im edhe sot këtu nga selia e PS Fier është për çdo djalë apo vajzë, burrë apo grua që dëshiron të marrë përgjegjësi drejtuese brenda PS, është i lutur të bëhet pjesë e kësaj gare.

Sipas Ballës kjo është një garë kombëtare, ku në 61 bashkitë e vendit synohet të zgjidhen 61 gra dhe burra që do të marrin bashkëdrejtimin e strukturave të PS.