Deti “i verdhë” në Shëngjin e Velipojë, dyshohet nga poleni i pishave por inspektorët ua faturuan anijeve

Një fenomen i pazakontë është shfaqur në Velipojë e Shëngjin. Deti ka sjellë në breg një pluhur të verdhë. Dyshimet janë se bëhet fjalë për polen pishash, por inspektorët hodhën dyshime për ndotje nga anije.

Kjo ishte pamja e bregdetit të Adriatikut në Velipojë dhe Shëngjin këtë të dielë.

Një pluhur i verdhë kishte mbuluar ujin. Jepte përshtypjen e një lëndë ndotëse.

Por mendohet se nuk ështe e tillë. Ngjyra e verdhë dyshohet se është shkaktuar ngë poleni i pishave.

Fenomeni i pazakontë shqetësoi turistët që nuk e kishin hasur më parë.

"Ka disa ditë që ka shenja por sot e kam parë të zhytur gjithë bregun. Mirë do ishte me ja gjet "Pse-në".

Përfaqësues të inspektoriateve zbarkuan në plazhe që morën mostra për analizim.

Për shkak të dështimit në të shkuarën, por dhe mosnjohjes së fenomenit, nxituan të dalin në përfundime.

Gjergj Elezi: Sapo kemi marrë informacionin që bregdeti i Shëngjinit është ndotur me një material me lëndë ngjyrë të verdhë kemi njoftuar institucionet. Agjencia Rajonale e Mjedisit ka ardhur për të marrë kampionin për të përcaktuar çfarë lënde mund të jetë hedhur në det. Dyshimet tona janë që materiali i shkarkuar në det është hedhur nga anijet. Është ndotje e madhe, ka kapur pothuajse gjithë bregdetin e Shëngjinit.

Bregdeti i Shëngjinit dhe Velipojës janë të njohura për masivet e pishave, nga ku poleni me ndihmën e erës është përhapur në det duke i dhënë ujit ngjyrën e verdhë.