LSI kundër/ Vasili: Nesër vandalët rilindas do 'kafshojnë' Butrintin me votën e tyre
Petrit Vasili paralajmëron votën kundër të LSI-së në Kuvend të hënën të projektit të qeverisë për dhënien me koncension të një pjese të Parkut Kombëtar të Butrintit.Vasili deklaron se vandalët socialist të hënën në Kuvend me votën e tyre do të firmosin kafshimin e Butrintit, një mrekulli që njihet nga UNESCO që prej vitit 1992.
Lëvizja Socialiste për Integrim teksa paralajmëron votën kundër projektligjit që parashikon dhënien e Parkut Kombëtar të Butrintit me koncension deklaron se vandalët e PS-së do të kafshojnë Butrintin me votën e tyre.
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, thotë se Butrinti, një mrekulli arkeologjike e njohur nga UNESCO që në vitin 1992, për qeverisjen rilindase është thjesht një mundësi për ta plaçkitur dhe për të zhvatur para dhe kaq.
Vasili: Butrinti është pasuri e paçmueshme, unikale, e papërsëritshme dhe miliardat janë të varfër përpara tij. Kjo qeveri, që ka vjedhur në mënyrë të provuar miliarda dollarë nuk paska para për sitin më të mrekullueshëm arkeologjik të Shqipërisë dhe me vlerë absolute botërore dhe këto 5 milion dollarët do na nxjerrin nga halli. Kjo qeveri, që zhvat 22 milion euro për një km rrugë nuk paska para për Butrintin dhe po na tund dhuratën 5 milion dollarë si shpëtim. Nesër vandalët kulturore dhe banditizmi grabitqar i rilindjes do të kafshojë pa mëshirë sërish Butrintin. Këta vandalë më të zi se pushtuesit vetë nuk kanë asnjë ndjenjë përgjegjësie mbi vete, sepse kredua e tyre është vetëm rrëmbimi. Nesër do të ndodhë një votim kriminal kundër Butrintit. Një votim kundër atdheut, trashëgimisë së çmuar kulturore e historike dhe do dalin në pah lakuriq vandalët ashtu të pacipë, të paturp dhe të paatdhe, në fund te fundit ashtu siç janë.
Sipas Vasilit, Butrinti kërkon një masterplan që garanton ruajtjen e plotë dhe konservimin e plotë e të sigurtë të vlerave të mrekullueshme të tij.
Vasili: Kjo kërkon konsultimin e gjerë me profesionistët shqiptarë, që në dhjetëra vite e kanë mbrojtur e mirëmbajtur atë. Çdo kosto financiare nuk është asgjë përpara vlerave madhështore dhe të papërsëritshme të Butrintit. Vetëm 5 km nga rrugët e florinjta të rilindjes do të mjaftonin për mobilizuar në një minutë mbi 100 milion euro për Butrintin.
Në këtë mënyrë, thotë Petrit Vasili, edhe për dhjetëra vitet që do të vijnë, kjo vlerë unikale do të mbrohej e trashëgohej.
