Berisha e mbyll në Vlorë fushatën për kreun e PD, nderon Hasan Prishtinën dhe komenton Presidentin: Proces karnavalesh
Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar nga Vlora dështimin e PD-PS për të gjetur një konsensus për Presidentin.
Duke folur për gazetarët, Berisha tha se procesi nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdim i marrëveshjeve të dështuara të Lulzim Bashës nga 2017 e deri sot.
"Një karnaval i vërtetë, një vazhdim i marrëveshjeve të dështuara që nga 2017 e deri sot të Lulzim Bashës dhe kjo që shihni ju nuk është gjë tjetër vetëm vazhdim i atij seriali por kësaj here dhe më tragjikomik dhe më i neveritshëm se çdo proces tjetër që është zhvilluar deri më sot".
Para takimit me demokratët në kuadër të fushatës elektorale për kreun e ri të PD, Berisha bëri nderime te busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina.
Ndërkohë në ambientet e Pallatit të Kulturës Labëria në Vlorë ai u prit nga një numër i konsiderueshëm simpatizantësh të Partisë Demokratike, të cilët e pritën në hyrje me lule dhe brohorima.
Përmbylljen e fushatës në Vlorë zoti Berisha e quan si vlerësim të Partisë Demokratike, dega Vlorë.

