Dështojnë negociatat, Alibeaj: PS theu marrëveshjen, Balla: Do presim raundin e katërt për Presidentin

Vetëm dy ditë pasi u duk sikur pati një marrëveshje mes PS dhe opozitës për mënyrën se si duhej zgjedhur presidenti, ndërsa opozita dakordësoi edhe 8 emra për këtë post, do të ishte vet kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj, këtë të premte që deklaroi se socialistët prishën marrëveshjen.

Enkelejd Alibeaj: Ajo kandidaturë që do identifikohej si konsensuale për tu futur në procedurë parlamentare do të kishte nënshkrimet tona dhe të palëve të tjera si një element jo vetëm garantist në përputhje me Rregulloren dhe Kushtetutën por si shenjë e fortë energjike se nuk do të kishte lojëra dhe shmangie. Nga ana e PS pretendohet tashmë që jo, kjo kandidaturë eventuale duhet të ketë vetëm nënshkrimin dhe firmat tona. Kjo është një e drejtë që Kushtetuta na e jep. Ajo që duhet kuptuar është se kjo tërheqje nga nënshkrimi nga pala tjetër nuk është gjë tjetër veçse mospranim i konsensualitetit të kandidaturës dhe procesit.

Por kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla e ka lënë topin sërish në fushën e PD-së, ndërsa theksoi se PS do të presë raundin e 4-të.

Taulant Balla: Në kohë jemi, unë jam këtu në Kuvend non stop, ja shpreh publikisht dëshirën për të vazhduar komunikimi se nuk dua të shkoj dëm raundi i dytë. Ne nuk depozitojmë kandidaturë as në raundin e dytë dhe as në raundin e tretë, ne do i qëndrojmë marrëveshjes. Opozita ka të gjithë mundësinë që mos ti çojë dëm dy raundet.

Opozita ka të gjitha mundësitë që të sjellë emrat. Nëse do praprakisht një lloj konsultimi meqë nuk po shkojnë dot te katër emrat, le të vijnë edhe me më shumë emra. Por ne duhet të dëgjohemi. Nëse ti vë kusht o zgjidh një apo dy nga këto emra o s'ka , këtu i ke hequr të drejtën palës tjetër. Ne kemi mundësi të propozojmë tre kandidatura se kemi 74 mandate në Kuvend. Nuk do propozojmë, do presim raundin e katërt.

Zgjedhja e presidentit të Republikës kërkon në tre raundet e para një konsensus të gjerë prej 84 votash, teksa në raundin e 4 dhe të 5 mund të zgjidhet me shumicë të thjesht prej 74 votash.