Rinas, tentuan të kalonin me dokumente false, prangosen 2 turqit

Policia Kufitare në Rinas ka goditur një rast të tentativës për të kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara.  

Në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë 2 persona turq pasi kanë tentuar që të kalonin me dokumente të falsifikuar.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasve K. K. dhe S. C., kanë dyshuar se këta shtetas nuk kishin paraqitur dokumentet e tyre realë të identifikimit.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, me dokumente false. Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasit: K. K., 21 vjeç dhe S. C., 25 vjeç, të dy banues në Turqi.” – njofton policia.   

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.