Dumani, akuzon hasmin e tij Talo Çela për vrasjen e Fatmira Dedës, nëna e një bosi droge të ekzekutuar

Fatmira Deda, një 60-vjeçare nga qyteti i Durrësit që mbeti e vrarë në hyrje të pallatit të saj në 14 shtator 2013, dyshohet se është vrarë nga Talo Çela.

Një akuzë të tillë e ka hedhur Nuredin Dumani, kundër hasmit të vet Talo Çela, duke i pohuar prokurorëve të SPAK, se vrasjen e kishte kryer ai në shenjë hakmarrje për djalin e saj, Ervis Deda.

Sipas Dumanit vrasjen e Fatmira Dedës e ka kryer Talo Çela, duke e goditur me sende të forta. Dhe ky krim sipas tij është bërë vetëm për hakmarrje.

Viktima në 2013 u identifikua nga policia e Durrësit si Fatmira Deda, 60 vjeç, ndërsa mësohet se asaj një vit me parë në zonën e Golemit i është ekzekutuar në mënyrë mafioze i biri, Ervis Deda, vrasje e mbetur ende e pazbardhur nga policia e qytetit bregdetar.

Mësohet se 60-vjeçarja është qëlluar me mjete metalike, teksa po futej në garazhin e një pallati pranë banesës saj në lagjen “Skëndërbej” në zonën e Fermentimit për të marrë makinën e saj.

Në momentin që ajo ndodhej e vetme në garazh, persona të paidentifikuar e kanë qëlluar atë me mjete të forta në pjesën e pasme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa autorët e krimit janë larguar në drejtim të paditur.