Zgjerimi i NATO-s me Finlandën dhe Suedinë, Biden pret në Shtëpinë e Bardhë dy udhëheqësit finlandez dhe suedez
Ndërsa Turqia ka deklaruar veton e saj për zgjerimin e NATO-s, dhe një gjë të tillë e ka artikuluar edhe Kroacia, amerikanët janë të vendosur për këtë lëvizje që NATO do të zgjerohet. Presidenti Biden priti në Shtëpinë e Bardhë liderët suedezë dhe finlandezë për t’i thënë botës dhe aleatëve se ata kanë mbështetjen totale dhe të pakushtëzuar amerikane.
Amerikanët kanë vendosur që mesazhin e tyre për zgjerimin e NATO-s ta japin nga Shtëpia e Bardhë.
Ka qenë vetë shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, që dha mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në aleancë.
"Sot jam krenar të mirëpres dhe të ofroj mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për aplikimet e dy demokracive të mëdha dhe dy partnerëve të ngushtë për për t'u bashkuar me aleancën më të fortë, më të fuqishme mbrojtëse në historinë e botës," tha Biden ndërsa qëndronte përkrah presidentit finlandez Sauli Niinistö dhe kryeministres suedeze Magdalena Andersson.
Të dyja vendet kanë ndjekur një kurs të gjatë neutraliteti mes Rusisë dhe NATO-s, por pushtimi i Ukrainës bëri që popujt e këtyre dy vendeve të shihnin si alternativë më të mirë anëtarësimin në NATO.
Presidenti amerikan kishte një mesazh për gjithë skeptikët e zgjerimit të NATO-s.
Ai tha se përfundimi është i thjeshtë, mjaft i drejtpërdrejtë: Finlanda dhe Suedia e bëjnë NATO-n më të fortë.
Jo vetëm për shkak të kapacitetit të tyre, por për shkak të demokracive të tyre të qëndrueshme dhe të forta.
Zakonisht, anëtarësimi i vendeve në këtë aleancë merr më shumë se një vit pas dorëzimit të dokumentacionit.
Të 30 anëtarët e NATO-s duhet të japin miratimin unanim që një vend të pranohet në aleancë.
Por suedezët dhe finlandezët shpresojnë në një diplomaci më aktive amerikne për të përshpejtuar proceset, sepse të dyja vendet i plotësojnë të gjitha kushtet për të qenë anëtarë.
Sa i përket Rusisë, Presidenti rus Vladimir Putin tha të hënën se hyrja e Finlandës dhe Suedisë në NATO nuk do të krijonte një kërcënim për Rusinë, por "zgjerimi i infrastrukturës ushtarake në këtë territor sigurisht që do të shkaktonte reagim nga pala ruse".
