Italia, plan special me katër pika për armëpushimin në Ukrainë, në 2024 eleminon varësinë nga gazi rus

Ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, në emër të qeverisë italiane i ka dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, një dokument specifik propozimi për armëpushimin dhe nisjen e negocimit të paqes mes Rusisë e Ukrainës.

Ky dokument u dorëzua në New York, nga kreu i diplomacisë italiane, gjatë samitit të ministrave të jashtëm të vendeve të G7.

Ai përmban katër pika kyçe që përkojnë me katër etapa pune të përbashkëta në shumë nivele për arritjen e këtij qëllimi.

Për Italinë, armëpushimi arrihet me pushimin e çdo luftimi në front, me neutralitetin e Ukrainës e pranimin e saj në BE, autonominë territoriale e sovranitetin e Kievit si dhe me një marrëveshje shumëpalëshe për garantimin e sigurisë në Europë.

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka informuar sot Dhomën e Senatit në Parlamentin italian mbi situatën e luftës në Ukrainë.

"Jemi në ditën e 85 të luftës", u shpreh ai.

"NATO ka forcuar trupat në frontin lindor e Italia kontribuon me 2500 trupa ushtarakë që pritet të rriten gjatë ditëve në vijim me praninë e 250 trupave në territorin hungarez e të 750 trupave në atë bullgar."

Sipas Kryeministrit italian, pozicioni i Italisë në Bashkimin Europian e të cilin ja ka konfirmuar dhe Presidentit amerikan Biden, është "armëpushimi e nisja e negociatave të paqes".

Italia sëbashku me partnerët europianë po punon për të arritur çdo lloj ndërmjetësimi mes Rusisë e Ukrainës, "por i takon Ukrainës, tha Draghi, të vendosë se çfarë paqeje do të pranojë, e paqe pa Ukrainën nuk ka."

Italia do t'i kërkoj Bashkimit Europian racionalizimin e shpenzimeve ushtarake dhe një koordinim të investimeve në sistemin e sigurisë komunitare.

Kryeministri italian ka informuar se në muajin korrik në Ankara do të zhvillohet samiti dypalësh Turqi-Itali, me një vëmendje të veçantë për situatën në Ukrainë.

Në Parlamentin italian kreu i qeverisë ka informuar dhe mbi situatën e krizës energjitike e sipas parashikimeve të ekzekutivit të tij, Italia në gjashtëmujorin e dytë të 2024 do të mund të kapërcejë varësinë nga gazi rus.

Strategjia e qeverisë Draghi është aktivizimi i menjëhershëm për të kontraktuar furnizues të rinj e me një larmi burimesh që do të mundësojnë eleminimin e kësaj varësie brenda një afati të shkurtër kohor.