Kancelari gjerman: Pranimi i Ukrainës në BE, do ishte e padrejtë për Ballkanin Perëndimor

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmitro Kuleba i është kundërpërgjigjur kancelarit gjerman Olaf Scholz, sa i përket çështjes së integrimit.

I pari i qeverisë gjermane, deklaroi të enjten se pranimi i Kievit në Bashkimin Evropian, do të ishte i padrejtë për Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa kryediplomati ukrainas, nuk vonoi ta komentojë deklaratën e Scholz, duke potencuar se disa vende të Bashkimit Evropian kanë dështuar të adresojnë perspektivën evropiane të Kievit.

 Kuleba: Paqartësitë strategjike mbi perspektivën evropiane të Ukrainës e praktikuar nga disa kryeqytete të BE-së në vitet e kaluara ka dështuar dhe duhet të marrë fund. Ajo vetëm e trimëroi Putinin. Ne nuk kemi nevojë për zëvendësues për statusin e kandidatit në BE që tregojnë trajtim të dorës së dytë të Ukrainës dhe lëndojnë ndjenjat e ukrainasve.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk mund të përshpejtohen, pavarësisht pushtimit të Rusisë.

Scholz: Nuk ka rrugë të shkurtra për në Bashkimin Evropian. Nëse do të bëhej një përjashtim i tillë për Ukrainën, do të ishte e padrejtë për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat po ashtu aspirojnë anëtarësimin në bllok. Për vite me radhë, ata po ndërmarrin reforma intensive dhe po përgatiten për anëtarësim.

Nga Bundestagu gjerman, kancelari Scholz po ashtu premtoi se do të angazhohej më seriozisht për rajonin tonë duke nisur vizitat zyrtare nga java e ardhshme, në Ballkanin Perëndimor, me qëllimin e vetëm, çuarjen përpara të perspektivës evropiane të gjashtë shteteve ballkanike.