Vetingu shkarkon gjyqtaren e "Tik Tokut", pezullon për 15 vite ish prokuroren e Shkodrës
Videot e publikuara në rrjetet sociale me këngë ku flitet për mafian, i kushtuan shkarkimin nga detyra ish kryetares së gjykatës së elbasanit enkeleda kapedani. Në një seancë pa praninë e saj, KPK theksoi se gjyqtarja është hetuar në tri kriteret e rivlerësimit. Po kështu, komisioni ndërpreu vetingun për Prokuroren e Shkodrës Esmeralda Ndoci për shkak të dorëheqjes duke e përjashtuar atë për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë
Tirane -Pamjet e publikuara në rrjetin social tik-tok i kushtuan përfundimisht shkarkimin nga detyra ish-kryetares së gjykatës së Elbasanit Enkeleda Kapedani.
Trupi gjykues i komisionit të pavarur të kualifikimit, i kryesuar nga Genta Tafa Bungo pas tri seancash, vendosi shpalljen e vendimit në mungesë të gjyqtares e cila aktualisht ishte në masën e pezullimit nga detyra për shkak të videove të publikuara vitin e kaluar.
Seancat e vetingut ndaj Enkeleda Kapedanit nisën disa muaj pas vendosjes së masës disiplinore ndaj saj për pamjet e publikuara në tik tok, ku përfshiheshin këngë me fjalor provokues dhe pamje të regjistruara brenda gjykatës së elbasanit
Në tri seancat e rivlerësimit, gjyqtares iu kërkuan shpjegime për kriteret e pasurisë, profesionalizmit dhe pastërtisë së figurës.
Në një seancë tjetër për vettingun në drejtësi, KPK vendosi ndërprerjen e procesit ndaj prokurores së shkallës së parë në Shkodër Esmeralda Ndoci, e cila u përjashtua nga sistemi për 15 vjet për shkak të dorëheqjes nga detyra. Vendimi u dha nga trupa gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, Xhensila Pine anëtare dhe Brunilda Bekteshi relatore e çështjes.

Subjekti rivlerësues por dhe publik ka të drejtën e apelimit.

