Tiranë, lëviznin me kallashnikov me vete, prangosen dy persona
Policia e Tiranë ka finalizuar operacionin e koduar "Tracing", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.
Në këtë operacion janë prangosur 2 persona të cilët qarkullonin me armë zjarri kallashnikov në automjet.
Po ashtu, sekuestrohen edhe një armë zjarri kallashnikov, një krehër dhe municion luftarak.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në afërsi të kryqëzimit të Laprakës, me një automjet tip "Volksëagen", po lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Tracing”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: S. B., 34 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit"; S. T., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", person me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e krimeve ndaj jetës, pronës dhe armëmbajtjes pa leje.” – njofton policia.
Ata janë lokalizuar nga policia në rrugën "Dritan Hoxha", në afërsi të kryqëzimit të Laprakës, me automjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin S. B. dhe pasagjer shtetasin S. T.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

