Suedia aplikon në NATO, ambasadorja: Mënyra më e mirë që vendi të ketë siguri kombëtare

Ambasadorja e Suedisë në vendin tonë, Elsa Hastad ka dalë në një konferencë për mediet, ku ka njoftuar aplikimin e vendit të saj për në NATO.

Ajo ka shpjeguar arsyet dhe procesin që vendi i saj do të ndjekë në aplikimin për t’iu bashkuar aleancës së Atlantikut të Veriut.

Ambasadorja Elsa Hastad tha se të hënën u takua edhe me kryeministrin Edi Rama dhe ministren për Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe të dy i siguruan mbështetjen e Shqipërisë për Suedinë në këtë proces.

Ajo pohoi se mënyra më e mirë që vendi i saj të ketë siguri kombëtare, duke pasur parasysh situatën në Ukrainë, është që të aplikojë për anëtarësim në NATO.

Sipas saj, 48% e suedezëve e mbështesin anëtarësimin në aleancë dhe po ashtu nisma mori edhe një mbështetje të gjerë në parlament.

Elsa Hastad: Do të bashkojmë duart me Finlandën dhe do të ndjekim të gjithë procesin për t’u bërë anëtarë. Ambasadori ynë i NATO-s në Bruksel, do të dërgojë aplikimin, do presim Finlandën dhe do të ndodhë sot ose nesër. Duhet të ratifikohet nga të gjithë anëtarë e NATO-s, përfshirë edhe Shqipërinë. Po e ndihmojmë shumë Shqipërinë. Suedia prej 20 vitesh e ka ndihmuar Shqipërinë që të bëhet anëtare e BE-së. Po ashtu, asistojmë me fonde. Mendoj që ndihma jonë është e rëndësishme dhe do të vijojmë me këtë mbështetje.