Spiropali-opozitës: Bini dakord se çfarë doni nga ne, nuk tallemi me emrat tuaj për president

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nga mbledhja e kryetarëve të grupeve parlamente për presidentin tha se PS është e hapur për propozime nga opozita.

Ajo theksoi se opozita po i qëndron larg këtij procesi dhe kanë nisur vetëm letra, të paqarta, të pakoordinuara me grupin parlamentar, të kundërshtuara nga një anëtar apo tjetër.

Ajo shtoi se palët kanë rënë dakord për afatet, duke thënë se të mishërohen kriteret e vlerat në disa emra konkretë.

Spiropali: Më duket e habitshme se si Alibeaj thotë diçka, Duma thotë diçka tjetër për të mos folur për atë që tha Mediu që në një pjesë të madhe kishte kuptim dhe ishte e arsyeshme. Kur vini përballë nesh duhet të bini dakord se çfarë doni prej nesh, çfarë doni prej vetes dhe çfarë prisni të nxirrni nga ky proces. Ju qëndruat larg këtij procesi se keni nisur vetëm letra, të paqarta, të pakoordinuara me grupin parlamentar, të kundërshtuara nga një anëtar apo tjetër. Folët për sfidë të kulturës së vjetër të pazareve dhe skutave dhe nuk keni dhënë asnjë fakt se si do sfidoni kur në vend të kritereve paraqisni kushte që është karakteristikë e vjetër e politikës së skutave dhe pazareve.

Meqë po flasim dhe procese e vullnete, as letrat as sofizmat nuk mund të zëvendësojnë vullnetet dhe proceset. Ne kemi vullnetin për ta bërë këtë proces me ju. Kemi rënë dakord për afatet, për mënyrë dhe data 23 është e arsyeshme. Është afati maksimal. Kjo tregon se si për procesin, ashtu dhe për emrat jemi të hapur. Duhet të mishërojmë ato kritere e vlerat në disa emra. Nuk kemi ndërmend të tallemi as me emrat tuaj, as me tanët. Ne duam emra që mund të votohen dhe mund të biem dakord. Ky është synimi ynë. Ne nuk jemi të pandehurit tuaj këtu. Nuk jeni as grup nga OSBE ODIHR-i që përcaktoni legjitimitetin e zgjedhjeve.