Mbrojtësit e fabrikës së çelikut në Mariupol duket se sinjalizojnë fundin e rrethimit

Njësia ukrainase e strehuar nën fabrikën e çelikut Azovstal në Mariupol tha që garnizoni i saj po përmbushte urdhrat për të shpëtuar jetën e trupave, një tregues i dukshëm se rrethimit të gjatë atje po i vinte fundi.

Luftimet në Azovstal në Mariupolin e rrënuar kanë simbolizuar rezistencën ukrainase gjatë gjithë pushtimit gati tre-mujor të Rusisë. Shumica e civilëve që kishin kërkuar strehim në impiantin e madh të epokës sovjetike u evakuan në fillim të këtij muaji.

Ukraina vlerëson se dhjetëra mijëra civilë vdiqën në Mariupol gjatë muajve të rrethimit nga forcat ruse që shkatërruan portin e Detit Azov, një qytet me rreth 400,000 banorë. Mbrojtësit e fundit, duke përfshirë shumë të plagosur, kishin qëndruar për javë të tëra në bunkerët poshtë Azovstal, një nga fabrikat më të mëdha metalurgjike në Evropë.

Është arritur një marrëveshje për largimin e të plagosurve”, tha në një deklaratë ministria ruse e mbrojtjes. “Është hapur një korridor humanitar përmes të cilit ushtarakët e plagosur ukrainas po dërgohen në një institucion mjekësor në Novoazovsk”.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar,  tha për mediat ukrainase: "Çdo informacion mund të dëmtojë proceset që po ndodhin. Përderisa procesi është duke u zhvilluar, ne nuk mund të themi se çfarë po ndodh tani."