Hakerët rusë nisin “luftën", sulmojnë faqen e policisë italiane
Në Itali, faqja e Policisë ka pësuar një sulm nga hakerët pro-rusë të ‘Killnet’, të njëjtët që ditët e fundit kanë goditur disa faqe institucionale, përfshirë ato të Senatit dhe Mbrojtjes dhe që kanë tentuar të bllokojnë Eurovizionin.
Aksioni i nisur mbrëmjen e djeshme është përballur me teknikë të Policisë të mbështetur nga specialistë të Qendrës Kombëtare Kundër Krimit për Mbrojtjen e Infrastrukturave Kritike (Cnaipc) të Policisë Postare, për rikthimin progresiv të funksionalitetit të plotë të sheshit.
“Sot ne zyrtarisht i shpallim luftë 10 vendeve, duke përfshirë policinë mashtruese italiane."- kanë shkruar hakerët.
Një ditë më parë Policia italiane tha se ka penguar sulmet e hakerëve nga grupet pro-ruse gjatë gjysmëfinales së 10 majit dhe finales së 14 majit të Festivalit të Këngës Eurovision, që u mbajt në Turin.
Policia tha më 15 maj se gjatë operacioneve të votimit dhe performancave të garuesve, autoritetet kishin arritur të pengonin disa sulme kibernetike në infrastrukturën e rrjetit nga grupi i hakerëve Killnet dhe nga bashkëpunëtorët e këtij grupi, Legion.
Kalush Oechestra nga Ukraina fitoi Eurovisionin më 15 maj.
Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shumë qeveri perëndimore kanë ngritur nivelin e gatishmërisë për shkak të sulmeve të mundshme kibernetike në sistemet e teknologjisë së informacionit dhe në infrastrukturë.
