Rusia nuk mban përgjegjësi për atë që mund të ndodhë nëse Finlanda e Suedia hyjnë në NATO
Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO do të ishte një gabim i dy vendeve skandinave, për të cilat Moska nuk do të mbajë përgjegjësi.
Kështu është shprehur zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Rjabkov i cili shtoi se situata ushtarake do të bëhet më e paparashikueshme.
"Nëse Stokholmi dhe Helsinki hyjnë në NATO, niveli i përgjithshëm i tensionit ushtarak do të rritet dhe do të ketë më pak parashikueshmëri në këtë fushë. Është për të ardhur keq që arsyeja po sakrifikohet për disa ide fantazmë se çfarë duhet bërë në situatën aktuale", ka thënë ai.
Suedia ndoqi iniciativën e Finlandës duke vendosur për t’u anëtarësuar në Aleancën e NATO-s.
Pranimi i dy vendeve skandinave kërkon miratimin unanim të 30 vendeve anëtare ekzistuese, përfshirë Turqinë e cila ka dhënë sinjale se mund të vendosë veton për mos anëtarësimin e tyre.
Finlanda dhe fqinji i saj, Suedia qëndruan jashtë NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, por qeveritë në dy vendet nordike kanë thënë se kanë rishqyrtuar qëndrimin e tyre pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë në fund të muajit shkurt.
Moska e cila ndan një kufi prej 1340 kilometrash ka pretenduar se vendosja e anëtarëve të NATO-s dhe armëve të tyre strategjike pranë Rusisë shkel parimin e sigurisë.
Moska kërkon që as blloku dhe as ajo vetë të mos lejohen të forcojnë sigurinë kundër njëri-tjetrit.
