Rusia lojëra në Donbas për të kapur Kievin

Shtetet e Bashkuara i janë rikthyer idesë se tërheqja e trupave ruse nga Kievi në fund të marsit është vetëm një strategji e presidentit Putin për të riorganizuar ushtrinë në Donbas. Inteligjenca kombëtare amerikane beson se trupat e Moskës do t’i ridrejtohen kryeqytetit si qëllimi final i Kremlinit.

Drejtoresha e inteligjencës kombëtare amerikane, Avril Haines thotë se Putin nuk i ka ikur qëllimit për të shkuar përtej Donbasit dhe se zhvendosja e përkohshme nga Kievi në muajin mars është thjesht një riorganizim forcash.

“Ne vlerësojmë se Presidenti Putin po përgatitet për një konflikt të zgjatur në Ukrainë, gjatë të cilit synon të arrijë qëllime përtej Donbasit. Qëllimet strategjike të Putinit ndoshta nuk kanë ndryshuar dhe vendimi i fund marsit për të tërhequr trupat nga Kievi është vetëm një riorganizim forcash në Donbas për të rifituar iniciativën e dështimit të ushtrisë ruse për të kapur Kievin.”

Edhe pse e parashikuan të ndodhte në 9 maj, Agjencia kombëtare e inteligjencës amerikane thotë se Putin mund të ndërmarrë vendime më drastike, ndërsa e sheh që është duke humbur.

“Sipas tendencave gjasat janë në rritje që Vladimir Putin t’iu kthehet vendimeve drastike, përfshirë vendosjen e ligjit ushtarak, riorientim të prodhimit industrial ose veprime ushtarake përshkallëzuese për të arritur objektiva ndërsa konflikti zvarritet ose nëse ai e percepton se Rusia është duke humbur.”

Inteligjenca amerikane ende beson se presidenti Putin do të lëshonte armët bërthamore vetëm nëse do të kishte kërcënim për ekzistencën e shtetit rus.