Draghi në SHBA takon Biden: Nëse Putin ka menduar se mund të na ndajë ka falimentuar
"Nëse Putin ka menduar se mund të na ndaj, ka falimentuar. Jemi të bashkuar për të dënuar pushtimin e Ukrainës, për të ndihmuar këtë vend siç kërkon Presidenti Zelensky si dhe në sanksionet kundër Rusisë", kështu ka deklaruar në Shtëpinë e Bardhë, gjatë takimit me Presidentin amerikan Biden, Kryeministri italian Mario Draghi, i cili ka nisur një vizitë dy ditore pune në SHBA.
Kryeministri italian i ka përcjellë Presidentin Biden klimën se si Italia e Europa po përjetojnë ngjarjet në Ukrainë.
"Në Itali e Europë, tha ai, njerëzit duan t'u jepet fund kësaj dhune, kësaj masakre e kasaphane. Njerëzit mendojnë se si të kontribuojnë për të sjellë paqen, e ne, u shpreh Draghi, duhet të përdorim çdo kanal komunikimi direkt e indirekt për t'ja arritur kësaj."
Kryeministri italian, i cili ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë me ftesë të Presidentit amerikan e në një moment kaq të vështirë e të komplikuar në panoramën ndërkombëtare europiane, e ka vlerësuar Biden si një mik europian.
"E di, tha ai, duke iu drejtuar Presidentit amerikan, se kemi mbështetjen tuaj si mik i Europës dhe i Italisë."
Në takimin Biden-Draghi, u diskutua dhe mbi krizën energjitike e sigurinë ushqimore, për të cilat dy liderët e kanë në vëmendje të veçantë.
Kryeministri italian, pritet të takohet sot me Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, zonjën Nancy Pelosi si dhe kryetarët e grupeve politike të Kongresit amerikan.
Mario Draghi do të zhvilloj dhe një konferencë për mediat pranë Ambasadës italiane.
Një moment i veçantë gjatë kësaj vizite zyrtare pune, është vlerësimi që Kryeministri Mario Draghi do të marr nga Këshilli Atlantik i cili do t'i jap çmimin Distinguished Leadership Aëard 2022.
Ky çmim i jepet çdo vit personave që kanë influencuar e kontribuar në një të ardhme globale. Një vit më parë me këtë çmim u vlerësua Krye komisionerja europiane Ursula von der Leyen si dhe Albert Bourla administrator i kompanisë Pfizer.
Mario Draghi është italiani i parë që vlerësohet me këtë çmim prestigjoz e në këtë edicion 2022 ku cmim do t'u jepet dhe Administratorit të Përgjithshëm të kompanisë italiane ENI, Claudio Descalzi si dhe ambasadores ukrainase në Ëashington, Oksana Markarova e këngëtares ukrainase Jamala.
