Grabitja e bankës në Koplik, ja sasia e parave që vodhën tre grabitësit, kërcënuan dhe punonjësin e policisë

Është mësuar shuma që grabitësit e armatosur kanë arritur që të marrin në bankën e nivelit të dytë, një ditë më parë në Koplik.

Sipas të dhënave paraprake, mësohet se grabitësit kanë arritur që të marrin 10.000 euro, 1000 dollarë dhe rreth 400.000 lekë ( te reja). Kur kanë dalë nga banka ka qenë një efektiv policie, punonjës i policisë kufitare që ka tentuar t'i ndalojë, por edhe ai është kërcënuar me armë dhe kanë mundur që të arratisen.

Tre persona të maskuar dhe armatosur arritën të marrin nën kërcënimin e shumat e parave nga filiali i bankës.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 14.10 minuta, kur këto të fundit kanë hyrë brenda duke kërcënuar punonjësit që t’u jepnin paratë dhe pasi kanë marrë shumën në fjalë, janë larguar me automjetin tip Wolksvagen të parkuar jashtë mjediseve të bankës.

Në dalje të qytetit të Koplikut, në rreth-rrotullimin që njihet si kufiri me njësinë administrative të Bajzës së Kastratit, ata kanë djegur mjetin në mes të rrugës kryesore Shkodër-Han i Hotit.

Më pas nën kërcënimin e armës i kanë marrë automjetin tip ‘Benz’ një kalimtari të rastit, duke arritur t’i largohen policisë.

Këto të fundit i janë vënë në ndjekje autorëve, ndërsa në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe efektivët e Shkodrës.