Shkarkohet ish-kryegjyqtari/ KPK: Guximtar Boçi probleme me pasurinë e profesionalizmin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Gjirokastrës Guximtar Boçi. Ai ishte i pezulluar nga detyra prej vitit 2016 pas publikimit të një audio-skandali.

Vettingu ndaj tij u zhvillua nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun.

Gjatë seancës dëgjimore Boçit iu kërkuan shpjegime lidhur me një audio-regjistrim sipas të cilit ai kishte kërkuar favore seksuale në këmbim të ndihmës për një çështje. Po kështu gjyqtarit iu kërkua informacion për një apartament në Tiranë në pronësi të bashkëshortes, pasuri për të cilën ajo deklaron se zotëron vetëm gjysmën e trashëguar nga babai i saj.

 

Gjatë shpjegimeve të tij gjyqtari mohoi që në përgjimin e publikuar të ishte zëri i tij dhe këmbënguli se ishte viktimë e presioneve. Publikimi i skandalit në fjalë u bë shkak që në vitin 2016, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ta shkarkonte Boçin nga detyra e kryetarit të Gjykatës dhe e pezulloi atë si gjyqtar.

Një vit më vonë prokuroria e pushoi procedimin penal ndaj Boçit dhe një vit më vonë ai fitoi pafajësinë me vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës. Pas këtyre vendimeve, Guximtar Boçi ka rikthimin në sistemin gjyqësor, por Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk e ka pranuar kërkesën e tij.