19-vjeçari me autizëm kompleton garën e “çmendur” në shkretëtirë
Dëmtimet, flluskat në këmbë dhe lodhja rraskapitëse nuk arritën ta ndalojnë për asnjë moment. Zach Bates vazhdon të vrapojë dhe këtë e bën falë vullnetit të hekurt. Të luftosh me dhimbjen që të shkakton trupi është sfida e vërtetë e maratonistit që në shkretëtirën e Arizonës sfidoi kushtet ekstreme të motit.
28 orë për të përshkuar 130 km, shembull frymëzues nga njeriu që ka luftuar paragjykimet dhe gjetur forcën të presë vijën e finishit. Bates vuan nga autizmi por ky fakt nuk e ndaloi të ishte një nga pjesëmarrësit më të veçantë të maratonës së shkretëtirës. U diagnostikua me autizëm në moshën 4-vjeçare por 15 vite më vonë ai e cilëson veten një nga ultramaratonistët e botës së lirë.

Pak kohë më parë kompletoi garën “Coldwater Rumble” duke u bërë njëkohësisht edhe njeriu më i ri në planet që mbyll garën 130 kilometërshe në një nga ambjentet më armiqësore të planetit. U rendit në vendin e 38 nga 99 pjesëmarrës në total ndërsa e mbylli garën e tij pas plot 28 orëve të gjata në të nxehtin e shkretëtirës ku 33 pjesëmarrës u tërhoqën.

Një njeri me autizëm mund të ketë një veti që të tjerët nuk e kanë, fokusin ndaj objektivit që i kanë vënë vetes. “Hiper-fokus” e cilësojnë mjekët këtë veti që bazohet te dëshira e madhe e tyre për të bërë diçka. Ndoshta ky është rasti i të riut amerikan që i ka dhënë botës një shembull vërtet frymëzues.

